Ronnie Rondell Jr., stuntmani dhe aktori i njohur i Hollywood-it, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare në një shtëpi kujdesi në shtetin amerikan të Missouri më 12 gusht, sipas një nekrologjie online, raporton BBC.
Rondell hyri në histori si njeriu që u vu në zjarr për kopertinën ikonike të albumit Wish You Were Here të grupit legjendar Pink Floyd në vitin 1975, një imazh që mbetet një nga më të njohurit në muzikë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka qenë pjesë e dhjetëra filmave dhe serialeve televizive, duke përfshirë “Lethal Weapon”, “Thelma and Louise”, “Star Trek: First Contact”, “Spartacus”, “The Karate Kid”, si dhe seriale të suksesshme si “Charlie’s Angels”, “Dynasty” dhe “Baywatch”.
Një nga skenat më të famshme të Rondell ishte kërcimi nga një shtyllë e përfshirë nga flakët, e cila binte mbi tokë, i realizuar për filmin “Kings of the Sun” (1963). Ai gjithashtu u shfaq në skena përleshjesh në filmin “Shenandoah” (1965), në një zënkë në bar në komedinë “Blazing Saddles” (1974), si dhe në skena të rrezikshme zjarri në filmin “The Towering Inferno” të po atij viti.
Përveç aktrimit, Rondell punoi edhe si koordinator stuntesh për filma si “Batman and Robin” dhe “The Mighty Ducks”.
Fotografi Aubrey Powell, i cili realizoi kopertinën e Wish You Were Here, ka rrëfyer për The Guardian në vitin 2020 se Rondell ishte hezituar ta bënte skenën, duke e konsideruar më të rrezikshme se çdo xhirim filmi. Ai ishte veshur me kostum dhe paruke të mbuluar me substanca rezistente ndaj flakëve, si dhe një xhel mbrojtës, por në tentativën e 15-të, era ndryshoi drejtim dhe i dogji vetullën e një pjesë të mustaqeve.
Në vitin 1970, Rondell ishte një nga themeluesit e kompanisë “Stunts Unlimited”, ku shërbeu si mentor i shumë gjeneratave të reja stuntmanësh.
“Ronnie ishte një legjendë e vërtetë, një njeri bujar dhe i respektuar që do të na mungojë shumë,” shkroi kompania në rrjetet sociale.
Rondell u tërhoq nga kinemaja në vitin 2001, por mori kreditet e fundit si stuntman në filmin “The Matrix Reloaded” (2003), ku mori pjesë në një skenë të ndërlikuar ndjekjeje me makina. Në vitin 2004, ai u nderua me çmimin e arritjeve jetësore në “Taurus World Stunt Awards”.
Arti ishte i trashëguar në familjen e tij. Babai i tij, Ronald R Rondell, ishte aktor dhe asistent regjisor, ndërsa të dy djemtë e Ronnie-t ndoqën rrugën e tij. Djali i tij Reid humbi jetën tragjikisht në vitin 1985 gjatë një stunti me helikopter për serialin “Airwolf”.
Rondell la pas bashkëshorten Mary dhe djalin e tij Ronald.