Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës duke e cilësuar këtë vendim si të rrezikshëm për raportet dypalëshe dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe të padrejtë të ndërmarrë kundrejt një partneri të palëkundur të SHBA-ve.
Për mediat KASH, i është drejtuar dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti duke i kërkuar që të tejkalojnë situatën politike në vend dhe të bashkëpunojnë në mbrojtje të interesave të Kosovës.
“Kosova është ndër vendet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të qartë ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që avancon dialogu me Beogradin, jep një mesazh të gabuar dhe rrezikon të destabilizojë rajonin, duke i dhënë hapësirë ndërhyrjes së Serbisë përmes Listës Serbe.
Kosova ka nevojë për përkrahje në ndërtimin e institucioneve të saj, jo për presione që mund të paralizojnë funksionimin e tyre.
Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë, përmes partive politike serbe, duhet të adresohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, dhe gjithmonë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Më 12 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin pezulluar dialogun strategjik për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë, që sipas amerikanëve, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë për të punuar për prioritetet e përbashkëta. Ky veprim ngjalli reagime të shumta nga opozita, duke e konsideruar si një goditje të rëndë ndaj Kosovës dhe qeverisë së Kurtit.