Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Vladimir Putin po kërkon të manipulojë udhëheqjen amerikane dhe të dalë nga izolimi.
Komentet e tij vijnë pasi afateve të vendosura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump kaluan pa sanksione të reja nga SHBA-ja.
“Ai (Putin) dëshiron të mashtrojë SHBA-në. Po bën gjithçka që mundet për të shmangur sanksionet, për të parandaluar SHBA-në dhe Trumpin të vendosin sanksione ndaj tij. Nëse vazhdoni të shtyni vendosjen e sanksioneve, atëherë rusët do të jenë më të përgatitur”, tha Zelensky në një intervistë për Sky Neës.
Presidenti ukrainas argumentoi se samiti i 15 gushtit i Trumpit me Putinin në Alaska i dha udhëheqësit rus një platformë për t’i shpëtuar izolimit politik.
“Nëse do të ishte një takim trepalësh (me Ukrainën), do të kishim ndonjë rezultat”, tha Zelensky.
Pas samitit, Trump u zotua të përgatiste bisedime të drejtpërdrejta midis presidentëve rusë dhe ukrainas.
Këto plane u shembën shpejt pasi Putini ftoi Zelenskyn në Moskë, një propozim që Kievi e hodhi poshtë.
Zelensky tha se një takim trepalësh me Trumpin mbetet opsioni i tij dhe e ftoi Putinin në Kiev.
Trump tha më 14 shtator se fillimisht besonte se takimi mund të organizohej lehtësisht, por shtoi se ai personalisht do t’i drejtonte bisedimet e mundshme, pasi dy presidentët “janë të paaftë të flasin me njëri-tjetrin”.
Presidenti i SHBA-së ka ngurruar të zbatojë sanksione të reja për të ushtruar presion mbi Putinin në negociata duke i kufizuar veprimet e tij në tarifa të reja për blerjet e naftës ruse nga India.
Trump i ka lidhur masat e reja të mundshme kundër Moskës me një veprim më të fortë evropian.