Një aeroplan me 250 qytetarë të Francës dhe të vendeve të tjera evropiane ka arritur nga epiqendra e koronavirusit, Wuhani i Kinës, në Istres të Francës.
Shumë shtete janë duke bashkëpunuar me Kinën për t’i kthyer qytetarët e tyre në atdhe nga provinca kineze, Hubei, ku janë shënuar më së shumti raste të vdekjeve dhe infektimeve.
Rreth 65 shtetas francezë do të vendosen në karantinë në një qendër për trajnimin e zjarrfikësve, njoftoi sekretari shtetëror për mbrojtjen e fëmijëve, Adrien Taquet.
Ndërkohë ministri i jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se në këtë aeroplan ndodhen qytetarët e 30 shteteve të ndryshme dhe se shtetasit e huaj do të dërgohen në vendet e tyre.
Autoritetet e Republikës Çeke njoftuan se në këtë aeroplan ndodhen 5 shtetas çekë dhe se ata fillimisht do të dërgohen në Bruksel e më pas do të nisen drejt vendlindjes.
Përpos tyre, në këtë aeroplan merret vesh se ka edhe shtetas të Suedisë dhe Britanisë së Madhe, shkruan “Reuters”.