“Ne duam ta ndryshojmë qëndrimin tonë në mënyrë që të mos jetë Izraeli, por vetë populli palestinez, ai që merr vendimet dhe vepron në mënyrë që Danimarka ta njohë Palestinën”. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm danez Lars Loekke Rasmussen, i cili njoftoi se detaje të mëtejshme në lidhje me kriteret për njohjen e Palestinës nga Kopenhageni do t’i bëjë publike gjatë ditës së sotme.
“Deri më tani, ne në fakt i kemi dhënë Izraelit një veto për këtë çështje, pasi kemi deklaruar se njohja daneze e Palestinës do të ndodhë vetëm pasi të jetë negociuar një zgjidhje me dy shtete”, deklaroi ministri në një video të postuar në Instagram.
“Dhe kjo zgjidhje duket ende larg, duke marrë parasysh atë që po ndodh jo vetëm në Gaza, por edhe me vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe kundërshtimin e deklaruar të qeverisë Netanyahu ndaj një zgjidhjeje me dy shtete”, shtoi ministri, i cili tashmë është në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila do të diskutojë situatën në Gaza dhe njohjen e Palestinës.