Komuniteti shqiptar në Irlandë ka shënuar një moment historik me hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Dublin.
Shkolla zyrtarisht filloi aktivitetin e saj më 11 shtator 2025, në Bibliotekën Blanchardstown, Dublin, falë iniciativës së Klubit të Dashamirësve të Librit Shqiptar dhe themelueseve të saj, Liljana Picari dhe Arjana Rama.
Ceremonia e hapjes mblodhi fëmijë, prindër dhe anëtarë të komunitetit shqiptar. Ambasadori i Shqipërisë në Irlandë, Uran Ferizi, e përshëndeti iniciativën me një mesazh të veçantë, duke konfirmuar se Ambasada do ta mbështesë shkollën me paketa edukative.
Në ditën e tyre të parë, nxënësit mësuan rreth alfabetit shqip, historisë së shkollës së parë shqipe në Korçë dhe flamurit kombëtar, duke përdorur tekste shkollore dhe materiale të ofruara nga Qendra për Publikime të Diasporës.