Të gjitha fluturimet nga dhe drejt aeroportit më të madh të Danimarkës, aeroportit të Kopenhagenit, janë pezulluar pas raportimeve për disa dronë të mëdhenj të parë në zonën përreth, njoftuan autoritetet policore.
Sipas policisë daneze, dy deri në tre dronë të mëdhenj u raportuan duke fluturuar në afërsi të aeroportit, çka çoi në mbylljen e menjëhershme të hapësirës ajrore për ngritjet dhe uljet e avionëve. Pezullimi i fluturimeve ka filluar rreth orës 20:30 me orën lokale dhe vazhdon të jetë në fuqi deri në njoftimin e ardhshëm.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, policia shkroi se “Aeroporti është aktualisht i mbyllur për ngritje dhe ulje, pasi 2-3 dronë të mëdhenj janë parë duke fluturuar në zonë. Kohëzgjatja e këtij pezullimi është aktualisht e panjohur.”
Një zëdhënës i Aeroportit të Kopenhagenit në një prononcim për agjencinë e lajmeve Reuters, konfirmoi se hapësira ajrore mbi aeroport është mbyllur për shkak të dronëve të paidentifikuar. “Policia po heton çështjen dhe aktualisht nuk kemi një afat kohor për rihapjen,” shtoi zëdhënësi.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi origjinën ose qëllimin e dronëve, dhe hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
Pezullimi i fluturimeve ka shkaktuar vonesa dhe ndërprerje të konsiderueshme për udhëtarët në aeroportin kryesor të Danimarkës, i cili shërben si një nga qendrat më të rëndësishme të transportit ajror në Evropën Veriore.