Ministri në detyrë në Kosovë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashic pohoi se integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës është një proces që do të duhet të ndodhë.
Por ai duhet të zhvillohet përmes konsultimeve dhe harmonizimit të qëndrimeve, në mënyrë që të mos ketë pasoja të dhimbshme për komunitetin serb, mendon zyrtari i lartë. Rashic u shpreh për REL se në këtë proces do të ftohet edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila tashmë është prononcuar kundër integrimit të sektorit të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar.
“Ata do të ftohen, nëse unë jam pjesë e procesit, e me siguri do të jem, dhe nëse e refuzojnë bashkëpunimin, atëherë të gjithë përgjegjësinë le ta mbajnë vetë”, u shpreh Rashic. Sipas tij, “një formë Asociacioni” është e rëndësishme të ekzistojë, sepse do t’u ofronte serbëve një garanci fillestare se integrimi nuk do t’i linte pa punë e pa siguri, duke siguruar kështu stabilitetin e nevojshëm.
“Unë e shoh si një formë që mund t’i ndihmojë bashkëqytetarët tanë për çështjen me të cilën e nisëm temën – nëse do të integrohen shëndetësia dhe arsimi, si do të bëhet etj. – sepse mendoj që në një mënyrë do të mund t’i integrojmë. Pra, njerëzit që janë në ato institucione, të pranohen në një formë që do të ishte e legalizuar, pra në kuptimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Një koment Rashic e pati edhe për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në prag të skadimit të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese. “Sinqerisht, nuk do të doja të kandidoja për nënkryetar”, ishte komenti i tij.