Të mërkurën në mbrëmje në Danimarkë pati sërish kaos, pasi katër aeroporte pezulluan përkohësisht operacionet e tyre sepse dronë të paidentifikuar u panë në pjesë të ndryshme të vendit.
Katër aeroporte në Danimarkë pezulluan operacionet e tyre për shkak të shfaqjes së dronëve që u panë në pjesë të ndryshme të vendit, dy ditë pasi aeroporti ndërkombëtar i Kopenhagenit u mbyll për të njëjtën arsye.
Aeroportet e prekura janë ai i Aalborgut, Esbjergut, Sønderborgut dhe Skrydstrupit, ku ndodhet baza Fighter Wing Skrydstrup, shtëpia e avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës.
Policia tha se kishte ngjashmëri midis incidenteve, duke vënë në dukje se pezullimi i aeroportit të Aalborgut ndikon edhe tek Forcat e Armatosura të vendit, pasi ai përdoret edhe si bazë ushtarake.
“Është shumë herët për të thënë se cili është objektivi i dronëve dhe kush qëndron pas tyre”, tha një zyrtar i policisë, ndërsa hetimet e autoriteteve janë duke vazhduar.
Herët në mëngjes policia reagoi duke sqaruar se dronët e paidentifikuar të vërejtur në Jutlandin e Veriut nuk janë më mbi hapësirën ajrore të Aeroportit të Aalborgut.