Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni që policia po zhvillon për të vënë në pranga autorët e vrasjes së Klevis Lleshit, një ngjarje e ndodhur 5 vite më parë në Burrel, e cila është zbardhur plotësisht nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme akuzon si urdhërues të rrëmbimit e më pas të vrasjes së të riut, shtetasin Aurel Hoxha i njohur edhe si Aurelinjo Kolaveri, 36 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Po ashtu në kërkim është edhe shtetasi Sajmir Kolaveri.
Për të njëjtën ngjarje policia ka arrestuar Sabah Nuzin dhe Samet Loka, të dy nga 31 vjeç.
Mbi katërshen në fjalë rëndojnë disa akuza për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje dhe asgjësim kufome”, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “vepra penale te kryera nga grupi strukturuar kriminal”.
Po ashtu mësohet se SPAK ka arritur të zbardh vrasjen e Lleshit, i cili u rrëmbye në afërsi të Pallatit të Sportit në qytetin e Burrelit dhe eshtrat ju gjetën në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, duke u bazuar edhe tek komunikimet mes të dyshuarve në platformën Sky ECC.