Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim emocionues në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, ku ka vlerësuar rolin vendimtar të ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e saj si një shtet i sigurt dhe sovran.
Ajo ka rikujtuar periudhën e errët të luftës së viteve 1998-1999, kur populli i Kosovës përjetoi dëbime, vrasje dhe shkatërrime, duke theksuar se në ato momente kritike, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja i dhanë shpresë dhe liri vendit.
“Ishte një kohë kur ne po dëboheshim nga shtëpitë tona, kur të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë. Dhe ku fëmijëria jonë ishte thjesht luftë, konflikt, shkatërrim dhe vuajtje. Vetë ekzistenca jonë ishte në pikëpyetje. Dhe në ato orët më të errëta, Amerika qëndroi me ne,” deklaroi Osmani. Ajo përshkroi momentet kur ushtarët amerikanë mbërritën në Kosovë, duke sjellë shpresë dhe siguri. “Çdo familje, çdo familje e vetme në vendin tim ka një histori të herës së parë kur pa flamurin amerikan në krahun e një ushtari amerikan. Ata panë shpëtimtarët e tyre. Për ne, ai flamur nuk ishte thjesht një simbol i një shteti tjetër. Ai ishte simboli i një premtimi se edhe njerëzit në vendet më të vogla nuk do të braktiseshin nëse po qëndronin për të drejtën e tyre të dhënë nga Zoti për të qenë të lirë,” u shpreh Osmani.
Presidentja Osmani nënvizoi se ky premtim vazhdon të jetojë dhe se Kosova sot qëndron krenare si “vendi më pro-amerikan në tokë”.
Ajo shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve mbetet një shtyllë e fortë e sigurisë dhe demokracisë.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani foli gjithashtu për sulmin terrorist në Banjskë të vitit 2023, të cilin e cilësoi si një akt agresioni të drejtuar dhe të mbështetur nga Serbia, të cilën ajo e përshkroi si “proxy e Rusisë” në rajon.
Sipas saj, ky sulm nuk kishte për qëllim vetëm Kosovën, por edhe vlerat themelore që bashkojnë kombet e lira, si demokracia, liria dhe sundimi i ligjit.
“Ky nuk ishte vetëm një sulm kundër Kosovës. Ishte një sulm kundër vlerave që na bashkojnë. Ishte një sulm kundër gjithçkaje për të cilën ka qëndruar Amerika. Ishte një përpjekje për të shkatërruar gjithçka amerikane që ishte arritur në rajonin tonë,” deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se përgjigjja e Kosovës ndaj këtij sulmi ishte e fortë dhe e përgjegjshme, e koordinuar ngushtë me aleatët, veçanërisht Shtetet e Bashkuara.
“Ne mbrojtëm popullin tonë. Ne mbrojtëm sovranitetin tonë. Dhe e bëmë këtë në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, kryesisht Shtetet e Bashkuara, sepse e dimë se fuqia e një demokracie nuk matet vetëm me madhësinë e territorit të një vendi, por, mbi të gjitha, me madhësinë e aleancave të saj,” shtoi presidentja.
Osmani nënvizoi rëndësinë e aleancave të forta dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Ajo e prezantoi Kosovën si një shembull suksesi të ndërhyrjes së NATO-s dhe mbështetjes amerikane, duke e kthyer një vend të shkatërruar nga lufta në një demokraci të qëndrueshme dhe sovrane.
Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të mbrojtur vlerat demokratike dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale, në partneritet me SHBA-në dhe aleatët e tjerë.