Në ditën e parë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, amerikani Jock Covey, i cili gjatë viteve 1999–2001 ka shërbyer si zëvendësi kryesor i përfaqësuesit të posaçëm të OKB-së, Bernard Kouchner, tha se Hashim Thaçi kishte marrëdhënie komplekse me komandantët e UÇK-së.
Sipas tij, ky përfundim doli nga një takim, kur Kouchner udhëtoi në Kosovë në shtator të vitit 1999 për të bindur komandantët e zonave për t’u çarmatosur.
“Kjo më kujtohet shumë qartë. Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me Thaçin kur e njohëm. Pra, ai kishte një marrëdhënie të vështirë dhe komplekse me komandantët e UÇK-së në terren, dhe ata treguan pak ose aspak respekt ndaj tij. Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me trupën e komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tyre te ai,” u shpreh dëshmitari i mbrojtjes së Thaçit.
Duke folur për periudhën e vitit 1999, Covey tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.
“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Çeku ishte individi me më ndikim në UÇK. Gjatë takimit ne mund ta shihnim atë shumë të qetë që hidhte vështrimin prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin detajet e marrëveshjes që po diskutohej. Ne na u krijua përshtypja që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus dhe mbështetje nga komandantët në terren. Ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë,” deklaroi dëshmitari i mbrojtjes.
Dëshmia e Covey vjen pasi nga 15 shtatori në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ish-këshilltari ligjor i ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe ish-diplomati britanik, John Duncan.