Popullariteti i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka rënë në një nivel rekord të ulët, me gati 80% të britanikëve që nuk e miratojnë punën e tij, sipas një sondazhi të Ipsos të publikuar të dielën.
Vlerësimi i Starmer është goditur pas pakënaqësisë me trajtimin e tij të emigracionit, një rritjeje të arrestimeve në lidhje me komentet e bëra në internet, krizës së kostos së jetesës dhe rigjallërimit të skandalit të bandave të përdhunimit.
Vetëm 13% e britanikëve janë të kënaqur me punën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 79% janë të pakënaqur, tha Ipsos. Sipas sondazhit, në të cilin 1,157 të rritur britanikë u pyetën për mendimet e tyre, miratimi i Starmer kishte rënë me 6 përqind që nga qershori, ndërsa mosmiratimi u rrit me të njëjtën diferencë.
“Vlerësimet e punës së Keir Starmer janë më të këqijat për çdo kryeministër të anketuar nga Ipsos që kur filluam ta bëjmë sondazhe në vitin 1977″, tha në raport drejtori i Politikës së Mbretërisë së Bashkuar i Ipsos, Gideon Skinner.
Konservatorët dhe Partia Laburiste po humbasin votues ndaj partisë së Nigel Farage Reform UK, raportoi firma e sondazheve.
Pothuajse 40% e votuesve konservatorë të vitit 2024 dhe 13% e ish-mbështetësve të Partisë Laburiste kanë thënë se do votonin për Reform UK, tha ajo.
Protestat e mëdha kundër hyrjes së emigrantëve, si dhe demonstratat kundër shtypjes së lirisë së fjalës në Mbretërinë e Bashkuar e kanë goditur vendin në muajt e fundit, shkruan Rt.
Më herët këtë muaj në Londër, tubimi “Unite UK” (Bashkoni Mbretërinë) u mbajt nga britanikë të krahut të djathtë të pakënaqur me qeverin. Ndërsa Policia Metropolitane pretendon se rreth 110,000 deri në 150,000 ishin të pranishëm, organizatorët e ngjarjes kanë pohuar se deri në tre milionë morën pjesë.
Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, roli i të cilit si një euroskeptik me ndikim ndihmoi në Brexit në vitet 2010, ka adresuar shqetësimet e emigracionit dhe ka premtuar të heqë skemën që u lejon emigrantëve të aplikojnë për qëndrim të pacaktuar pas pesë vitesh, duke thënë se do e zëvendësojë atë me një sistem vizash.
Sipas një sondazhi të YouGov të së premtes, Reform UK do fitonte 311 vende nëse zgjedhjet e përgjithshme do mbaheshin tani, vetëm 15 vende më pak se shumica absolute në Dhomën e Komunëve. Votimi i radhës është caktuar për vitin 2029.