Dy persona kanë vdekur pas sulmit të së enjtes paradite(02.10.2025) në një sinagogë në Mançester në Britani të Madhe, raporton BBC.
Një person i tretë – që mendohet të jetë i dyshuari – besohet të ketë vdekur pasi është qëlluar nga policia.
Policia britanike ka njoftuar se gjendja e të dyshuarit nuk mund të konfirmohet për shkak të “gjërave të dyshimta në trupin e tij”, përderisa një njësi çaktivizimi bombash ndodhet në vendin e ngjarjes.
“Kthehuni, ai ka një bombë!” – pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë policinë duke paralajmëruar kalimtarët, me një fotografi që tregon një burrë me gjësende rreth belit.
Tre persona të tjerë janë në gjendje të rëndë. Policia thotë se një “numër i madh njerëzish” po luteshin në sinagogë – sot është Yom Kippur, dita më e shenjtë në kalendarin hebraik.
Policia u thirr për rastin në Sinagogën e Parkut Heaton në orën 09:31 nga dikush që pa një makinë duke u drejtuar drejt turmës dhe një burrë të therur me thikë.
Një dëshmitar i ka thënë BBC-së se policia i paralajmëroi të dyshuarin “disa herë – ai nuk dëgjoi kështu që ata hapën zjarr”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka përfunduar një udhëtim në Danimarkë më herët dhe thotë se do të ketë policë shtesë të vendosur në sinagogat në të gjithë vendin. “Ne do të bëjmë gjithçka që ta sigurojmë komunitetin tonë hebraik”, ka deklaruar Starmer.




