Partia Lëvizja BASHKË ka zyrtarizuar kandidaturën e kryetarit të saj, Arlind Qori, për zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Tiranës, të cilat do të mbahen më 9 Nëntor.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, “Lëvizja Bashkë” e prezantoi Qorin si “alternativën e vërtetë” për kryeqytetin, duke theksuar rolin e tij si arsimtar dhe activist, i cili për më shumë se një dekadë ka adresuar çështje kyçe të qytetit.
Partia theksoi se Qori ka folur çdo ditë mbi problemet dhe nevojat e qytetarëve, duke përmendur çështje si: Parqet dhe shkollat; uji dhe ajri; e drejta e strehimit dhe transporti publik; korrupsioni dhe keqqeverisja.
Sipas Lëvizjes BASHKË, këto zgjedhje në Tiranë nuk janë vetëm një mundësi për të transformuar qytetin, por edhe një “betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë”.
“Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj. Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë”, thuhet në postim.
Me zyrtarizimin e kandidaturës së Qorit, fushata për Tiranën merr formë më të qartë. Tashmë për kryeqytetin kanë shpallur kandidatët e tyre:
Partia Socialiste: Ogerta Manastirliu
Lëvizja BASHKË: Arlind Qori
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj vijojnë konsultimet për gjetjen e kandidatit që do t’i bashkohet garës. Zgjedhjet e pjesshme më 9 Nëntor do të mbahen në gjithsej shtatë bashki: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat.