Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës është “shumë e afërt” për t’u arritur, duke shtuar se ai planifikon të udhëtojë në rajonin e Lindjes së Mesme këtë fundjavë nëse negociatat kurorëzohen me sukses.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik të bisedimeve, ndërsa SHBA-ja ka ushtruar presion të madh mbi palët e përfshira për të pranuar një plan paqeje të propozuar nga vetë Trumpi, i cili premton një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe një strukturë të re qeverisjeje në Gazë.
Gjatë një ngjarjeje të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se negociatorët amerikanë po bëjnë përparime të rëndësishme.
“Ne kemi një ekip negociatorësh të shkëlqyer, dhe fatkeqësisht, negociatorët e palës tjetër janë gjithashtu të shkëlqyer,” tha ai, duke iu referuar Hamas-it dhe aleatëve të tij.
Presidenti amerikan përsëriti se bota arabe dhe myslimane është plotësisht në mbështetje të planit të tij 20-pikësh, i cili u prezantua muajin e kaluar dhe synon të rindërtojë Gazën pas dy vitesh konflikt të përgjakshëm.
“Negociata jonë me Hamasin është përfundimtare. Dhe duket se po shkon mirë,” shtoi Trump, duke shprehur optimizëm për një zgjidhje të shpejtë. Ai madje specifikoi afatet e mundshme të udhëtimit të tij: “Nëse ky është rasti, ne do të largohemi, ndoshta të dielën ose të shtunën.”
Kjo do të ishte një vizitë e rëndësishme simbolike, duke shënuar angazhimin personal të Trump-it për të mbyllur konfliktin që shpërtheu më 7 tetor 2023, kur një sulm i Hamas-it mori jetën e rreth 1.200 izraelitëve dhe çoi në marrjen peng e 251 personave.
Që nga atëherë, operacionet ushtarake izraelite kanë shkaktuar mbi 67 mijë viktima palestineze, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, duke krijuar një krizë humanitare të paprecedentë me uri dhe shkatërrime masive.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, konfirmoi interesin e Trumpit për udhëtimin gjatë një konference me shtypin në Capitol.
Plani i Trumpit, i prezantuar më 29 shtator 2025, përfshin 20 pika specifike: lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë (rreth 48 të mbetur, prej të cilëve 20 të gjallë) brenda 72 orëve, në këmbim të lirimit të mbi 1.400 të burgosurve palestinezë, përfshirë 1.170 të arrestuar pas fillimit të luftës dhe 250 të dënuar me burgim të përjetshëm. Ai parashikon çarmatimin e plotë të Hamas-it, dorëzimin e kontrollit të Gazës tek një bord teknokratësh palestinezë të pavarur, të mbështetur nga një “Këshill Paqeje” të udhëhequr nga vetë Trumpi dhe figura si ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Gjithashtu, plani premton gjithashtu tërheqjen izraelite nga pjesë të Gazës dhe një program rindërtimi ekonomik, me garanci ndërkombëtare për sigurinë e liderëve të Hamas-it dhe tërheqjen e plotë izraelite.
Hamasi ka pranuar pjesërisht planin, duke rënë dakord për lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e administratës së Gazës, por ka refuzuar çarmatimin e menjëhershëm dhe rolin e ardhshëm në qeverisje, duke kërkuar negociata të mëtejshme me palë të tjera palestineze.
Më 3 tetor, Trumpi i dha Hamasit një afat deri të dielën më 5 tetor për të pranuar propozimin, duke kërcënuar me “shkatërrim të plotë” nëse refuzohet.