Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela prezantoi në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për Gjendjen e Kriminalitetit të vend për vitin 2024.
Në deklaratën e tij, Çela vuri në dukje vështirësinë e krijuar në ndjekjen e çështjeve penale për shkak të numrit të ulët të prokurorëve.
“Viti 2024, ashtu si dhe paraardhësi, vijoi të ishte mjaft kompleks për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të vijimit të punës me një numër të ulët të prokurorëve si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar”, deklaroi Çela.
Sipas Çelës, gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale në shqyrtim, me një rritje prej 10,52% krahasuar me 2023, ndërsa janë ndjekur 47,576 procedime penale, nga të cilat 24,956 janë regjistruar për herë të parë. Numri më i madh i procedimeve u regjistrua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me rreth 35,5% të totalit kombëtar.
Sa i përket kriminalitetit sipas rajoneve, koeficienti për 100,000 banorë në 2024 arriti në 1037, një rritje kjo karahasuar me 872 në vitin 2023. Qarku me kriminalitetin më të lartë mbetet Saranda, ndërsa më i ulëti është Berat. Për krimet kundër jetës të kryera me dashje, Tiranë mban 30% të rasteve, ndjekur nga Korça 12%, Durrësi 10%, Fier dhe Lezha 8%, Elbasani 6% dhe Vlora 5%, ndërsa Dibra regjistroi vetëm 1%.
Grupveprat me rritje më të madhe përfshijnë pastrimin e parave, falsifikimin e monedhave dhe letrave me vlerë, krimet doganore e të tjera.
“Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33%”, tha Çela në Komisionin e Ligjeve.
Në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, prokuroritë regjistruan 569 procedime për korrupsion dhe 157 për veprat që lidhen me detyrën. Hetimet çuan në arrestimin ose ndalimin e 25 personave të dyshuar dhe në transferimin e 61 procedimeve për krim të organizuar dhe korrupsion tek Prokuroria e Posaçme, duke përfaqësuar 91% të rasteve të transferuara.