Përsa i përket krimit dhe hetimit financiar, raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë nënvizon se vendi ynë rrezikohet nga pastrimi i parave me anë të kriptomonedhave.
“Teknikat e hetimit financiar duhet të përmirësohen, duke përfshirë identifikimin, analizën dhe ruajtjen e provave digjitale për kriptovaluta dhe asete virtuale. Duhet të sigurohet përdorimi sistematik i hetimeve financiare paralelisht me rastet e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe pastrimit të parave. Niveli i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurive mbeti i qëndrueshëm midis 2023 dhe 2024. Shqipëria raportoi rreth 21 milionë euro pasuri të sekuestruara (21 milionë euro në 2023) dhe 10 milionë euro pasuri të konfiskuara (11 milionë euro në 2023)”.
Raporti thekson se “ekziston nevoja për të garantuar menaxhimin në kohë dhe të duhur të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë asetet virtuale dhe kriptovalutat, pasi nuk ekziston ende një portofol digjital shtetëror”.
Sipas raportit “ende nuk ekziston një qasje strategjike apo sistematike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale që ndodhen jashtë vendit ose janë të paarritshme”.
“Në vitin 2024, SPAK ka dhënë shtatë vendime për sekuestrime parandaluese të pasurive që lidhen me veprimtari të krimit të organizuar. Megjithatë, Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat për konfiskim të zgjeruar dhe ngrirje paraprake të pasurive, për të shmangur humbjen e vlerës ekonomike të tyre. Rishfrytëzimi i pasurive të konfiskuara për qëllime sociale mbetet kryesisht joefektiv”, vijon raporti.
Një tjetër udhëzim i raportit është që “autoritetet shqiptare duhet të forcojnë kapacitetet për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të zbatojnë plotësisht Mekanizmin Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikut. Në vitin 2024, u identifikuan 178 viktima, përfshirë 113 gra e vajza dhe 96 fëmijë”.
Ndërsa në lidhje me trafikimin e armëve, sipas raportit Shqipëria ka forcuar përgjigjen operacionale, duke bërë përparim në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve që lidhen me trafikimin e armëve dhe municioneve.




