Mëngjesi i së mërkurës ishte i freskët, pavarësisht se dielli ka mbizotëruar në pjesën më të madhe të territorit. Meteorologia Tanja Porja thotë se temperaturat maksimale sot nuk pritet të tejkalojnë 22°C, ndërsa kushtet e kthjellëta do të vijojnë gjatë gjithë ditës.
Sipas saj, dita e enjte sjell një ngrohje të lehtë të mëngjesit, rreth 2°C më shumë se e mërkura. Në zonat malore veriore temperaturat do të ngjiten në 3°C, ndërsa në kryeqytet dhe përgjatë bregdetit priten 11–14°C. “E enjtja sjell një rritje të lehtë, për shkak të qarkullimit të masave ajrore nga verilindja dhe lindja e kontinentit”, shpjegoi meteorologia në emisionin Dita jonë në A2 CNN.
Ndërsa e premtja pasdite pritet të sjellë më shumë vranësira dhe mundësi të pakta reshjesh vetëm në zonat kufitare verilindore. Nga e shtuna, moti ndryshon dukshëm. “Do të ketë reshje të pakta dhe afatshkurtra, ndërsa e diela do të ketë rrebeshe më të shpeshta në pothuajse të gjithë vendin, të cilat vazhdojnë edhe të hënen”, tha Porja.
Temperatura rritet ndjeshëm të dielën deri në 24°C, por nga e hëna, vlerat maksimale bien me të paktën 3–4 gradë, për shkak të kthimit të qarkullimit ajror nga veriu dhe veriperëndimi, theksoi Porja. Reshjet do të vijojnë edhe të hënën, ndërsa në zonat malore mbetet i hapur edhe skenari për rikthimin e reshjeve të dëborës.




