Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën, ndërsa 32 të tjerë janë plagosur në një shpërthim në një stacion policor në pjesën e Kashmirit nën kontrollin e Indisë.
Shpërthimi ka ndodhur aksidentalisht, njoftoi sot policia lokale.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Srinagar, kur vonë mbrëmë një ekip ekspertësh forenzikë dhe policësh po shqyrtonte materialin shpërthyes, njoftoi drejtori i përgjithshëm i policisë.
Ai tha se bëhet fjalë për një aksident dhe përjashtoi mundësinë e një sulmi, raporton theguardian.
Shumica e të vdekurve ishin policë dhe punonjës forenzikë, ndërsa disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike.
Në shpërthim u përfshi stacioni policor dhe disa automjete policore u dogjën.
Ngjarja ndodhi disa ditë pas shpërthimit të një veture në New Delhi, të cilin zyrtarët indianë e cilësuan si “incident të tmerrshëm terrorist”, të kryer nga “forca antinacionale”.
Në shpërthim kanë humbur jetën të paktën tetë persona dhe ndodhi disa orë pasi policia në Kashmir njoftoi se kishte shkatërruar një celulë militante, arrestuar të paktën shtatë persona, përfshirë dy mjekë, dhe sekuestruar një sasi të madhe materiali për prodhimin e bombave në qytetin Faridabad, afër New Delhit. Policia solli materialin e sekuestruar shpërthyes në Kashmir dhe e ruante në hapësirë të hapur në stacionin policor.
Agjencitë e sigurisë indiane kanë kryer që atëherë një seri bastisjesh në Kashmir, si pjesë e hetimit për shpërthimin e makinës, duke intervistuar qindra persona dhe arrestuar dhjetëra.
India dhe Pakistani kontrollojnë secila një pjesë të Kashmirit, por të dy palët pretendojnë të drejtën mbi të gjithë territorin.
Grupet e armatosura në pjesën e Kashmirit nën kontrollin e Indisë luftojnë kundër autoriteteve të New Delhit që nga viti 1989.
India pretendon se ato sponsorizohen nga Pakistani, i cili i mohon këto akuza.
Shumë banorë të Kashmirit e konsiderojnë luftën e militantëve si një luftë legjitime për liri.




