Nga Migena Aleksi
Kreu i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli, deklaroi këtë të hënë në Kuvend se RTSH do të hyjë në tenderin e radhës të UEFA-s për të drejtat e transmetimit, duke e cilësuar këtë një objektiv prioritar dhe kërkesë të vazhdueshme të publikut. Ai premtoi se oferta e RTSH-së do të jetë konkurruese, pavarësisht presionit të fortë nga tregu privat.
Por skepticizmi politik nuk mungoi. Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Fatmir Xhafaj, ironizoi situatën: “Ishalla nuk ju vjen ndonjë telefonatë që të hiqni dorë nga pretendimi juaj”.
Një koment i shkurtër, por që flet shumë. Kush vendos në Shqipëri, kur bëhet fjalë për të drejta televizive apo projekte me interes publik? Deri tani, jo detyrimi dhe as ndjeshmëria për shërbim ndaj qytetarëve. Miliona euro në vit, të mbledhura për këtë institucion nga një taksë e drejtpërdrejtë dhe brutale, nuk garantojnë as transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares.
Situata e deritanishme tregon qartë dy gjëra:
E para, pavarësisht deklaratave ngrehacuke si kjo e fundit në Kuvend, RTSH ka kapacitete të kufizuara për të shërbyer qytetarin shqiptar në një nga kërkesat më bazike dhe të ndjekura publikisht. E dyta, presionet politike dhe biznesi privat, vendosin mbi interesin publik, edhe kur bëhet fjalë për një televizion që paguhet nga taksapaguesi.
Do ishte më e ndershme që drejtuesit e RTSH, në vend të kapardisjes, të dalin e t’u thonë qytetarëve nga vijnë këto “telefonata” të padukshme? Nga politika? Nga interesat e fuqishme private? Nga të dyja? Të mos harrojë zotëria i deklaratës së cituar dhe as të tjerët si ai – se ndërkohë, qytetari shqiptar paguan rrogat e tyre të majme dhe financon strukturën tejet burokratike të televizionit që drejtojnë.
Ajo që shohim me keqardhje është se çfarëdo ndryshimi që ndodh në drejtimin e RTSH-së – një drejtor i ri, një këshill i ri, apo një reformë e deklaruar – situata mbetet pothuajse gjithmonë e njëjtë. Rezultati është një institucion i paguar me para publike, që ka harruar misionin e tij themelor: në rastin konkret, një kanal publik që duhet të pasqyronte pasionin e qytetarëve për sportin dhe kulturën.




