Zv.kryeministrja Belinda Balluku ndodhet nën hetim edhe për lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. Lajmi u bë i ditur sot, kur Ballukut i janë caktuar 2 masa sigurie, pezullimi i ushtrimit të detyrës dhe ndalimi i daljes jashtë vendit.
Ndërsa në masë sigurie ‘arrest shtëpie’ janë vendosur Erald Elezi, drejtor i KESH-it dhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli.
Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.




