Kina ka nisur fazën e parë të një prej projekteve më madhore të inxhinierisë moderne: ndërtimin e një tuneli hekurudhor nënujës prej 123 kilometrash, që do të kalojë nën ujërat e Detit të Verdhë dhe do të lidhë provincat Liaodong dhe Shandong. Ky mega-projekt, i konsideruar prej vitesh “i pamundur”, tani po merr formë dhe mund të përfundojë brenda 10 deri në 15 viteve.
Tuneli, i quajtur Bohai Strait Tunnel, pritet të revolucionarizojë transportin në një nga zonat më të rëndësishme ekonomike të Kinës, duke shkurtuar ndjeshëm itinerarin aktual që kërkon orë të tëra për të anashkaluar detin me rrugë tokësore. Pasi të jetë funksional, udhëtimi do të zgjasë vetëm 40 minuta, me trenat që do të lëvizin deri në 250 km/h.
Me një kosto marramendëse prej 220 miliardë juanësh (rreth 26.8 miliardë euro), tuneli do të jetë më i gjati në botë për hekurudha me shpejtësi të lartë, duke lënë pas edhe tunelin e famshëm japonez Seikan (53 km). Projekti do të ketë tre korridore: dy për hekurudhat e pasagjerëve dhe një tunel qendror për mirëmbajtje dhe siguri.
Përfitimet pritet të jenë të mëdha. Përveç shkurtimit të kohës së udhëtimit, tuneli do të forcojë ndërlidhjen tregtare midis lindjes dhe verilindjes së Kinës, si dhe do të rrisë shpejtësinë e qarkullimit të mallrave. Vlerësimet paraprake parashikojnë të ardhura vjetore prej 20 miliardë juanësh.
Edhe pse projekti është ende në fazën e studimit të fizibilitetit, ai përfaqëson ambicien e Kinës për të shtyrë kufijtë e inxhinierisë dhe për të ndërtuar atë që deri dje dukej e paarritshme.




