Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi se qytetarët janë gati të mbrojnë vendin e tyre, ndërsa SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e një sulmi tokësor. Ai foli gjatë një tubimi në Karakas dhe akuzoi Uashingtonin për përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti, duke theksuar se Venezuela kërkon paqe me sovranitet dhe jo “paqe skllavërore”.
Administrata e Donald Trump ka rritur presionin, duke dërguar aeroplanmbajtësen më të madhe dhe anije luftarake në Karaibe, ndërsa kanë kryer sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, duke vrarë mbi 80 persona.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ka shumë mundësi në tryezën e presidentit, duke mos përjashtuar as ndërhyrjen e trupave në Venezuelë. Trump ka diskutuar së fundmi me Maduron për herë të parë që nga kthimi në detyrë, por nuk dha detaje mbi rezultatin e bisedës.
Shtetet e Bashkuara akuzojnë Maduron se drejton një grup të dyshuar kriminal dhe kanë shpallur shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij. Maduro dhe qeveria e tij mohojnë të gjitha akuzat dhe insistojnë se sulmet amerikane kanë si qëllim ndryshimin e regjimit dhe qasje në naftë. Forcat amerikane kanë kryer mbi 21 sulme ndaj anijeve gjatë muajve të fundit, ndërsa Maduro thotë se kjo është pjesë e një agresioni dhe terrorizmi psikologjik.




