Vendet duhet ta marrin më seriozisht sesa aktet terroriste epideminë aktuale të Covid-19, tha sot kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Një virus është më i fuqishëm në krijimin e trazirave politike, sociale dhe ekonomike, se çdo sulm terrorist” deklaroi ai një konference për shtyp.
Sipas Ghebreyesus, për të parandaluar që epidemia të kthehet në një pandemi, qeveritë duhet t’i ndihmojnë tani vendet më të varfra, në mënyrë që sistemet e tyre shëndetësore të bëhen të afta që të frenojnë virusin.
Tedros vuri në dukje se 99% e rasteve kanë ndodhur brenda Kinës dhe vetëm dy viktima janë raportuar jashtë vendit.
Megjithatë, ai theksoi se ishte shqetësues fakti që në Francë dhe Britaninë e Madhe ishin shfaqur transmetime nga personi në person edhe pse pa histori udhëtimi në Kinë.
Komentet e Tedros u bënë në nisjen e një konference shkencore dyditore, që po zhvillohet sot në Gjenevë, për të shpejtuar zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave për koronavirusin e ri./ATSH/