Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale e cilësoi këtë si një arritje historike për kulturën dhe identitetin shqiptar.
Lahuta, një nga simbolet më të lashta dhe më përfaqësuese të kulturës shqiptare, është transmetuar brez pas brezi në hapësirat rurale veriore, nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, deri në Plavë e Guci. Në duart e lahutarëve, Eposi i Kreshnikëve dhe baladat e traditës shqiptare kanë mishëruar për shekuj vlera si trimëria, qëndresa, nderi, besa dhe mikpritja.
Sipas Gonxhes, kjo arritje vjen pas një procesi të gjatë studimor të udhëhequr nga një grup ekspertësh të fushës si Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge. Shefi i MEKI sqaron më tej se në bashkëpunim të ngushtë me komunitetet lokale dhe kërkimet në terren, ata përgatitën një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, e cila u dorëzua në mars 2024.
“Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në kuadër të marrëveshjes për përgatitjen e dosjeve të trashëgimisë jomateriale shqiptare. Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur, promovuar dhe fuqizuar këtë pasuri të rrallë kulturore, duke mbajtur të hapur edhe bashkëpunimin e ardhshëm me Kosovën”, nënvizon ministri Gonxhja.




