Një rast i rëndë ka tronditur opinionin publik britanik, pasi një nënë e re e dy fëmijëve humbi jetën vetëm dy ditë pas kryerjes së ndërhyrjeve estetike në Turqi.
Sophie Hunt, 34 vjeçe, nga Northampton, ndërroi jetë në një spital privat në Stamboll, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore. Hunt kishte kryer një operacion për shtrëngimin e barkut dhe një ndërhyrje Brazilian butt lift. Pas operacioneve, ajo pësoi dështim të shumëfishtë organesh dhe tre arreste kardiake, duke mos arritur të mbijetojë.
Nëna e saj, Sandra Hunt, ngriti shqetësime serioze mbi faktin nëse vajza e saj ishte e përshtatshme nga ana shëndetësore për të kryer këto ndërhyrje, duke përmendur dokumente mjekësore që tregonin shenja të ritmit të parregullt të zemrës para operacionit.
Familja theksoi se pas ndërhyrjes Sophie humbi ndjenjat dhe shfaqi ënjtje në duar, ndërsa u shprehën dyshime edhe për komplikacione të mundshme gjatë procedurës së BBL-së.
Raporti i Këshillit të Mjekësisë Ligjore të Turqisë doli në përfundimin se Sophie Hunt vdiq si pasojë e komplikacioneve të lidhura drejtpërdrejt me operacionet estetike. Edhe ekzaminimi pas vdekjes i kryer në Britani arriti në të njëjtin përfundim, megjithëse shkaku i saktë i arrestit kardiopulmonar mbeti i paqartë.




