Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka thënë dje se në muajt e ardhshëm do të prezantohet një platformë e re për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme përmes formave alternative sipas modeleve më të mira të vendeve europiane, pa qenë nevoja për të shkuar detyrimisht në gjykatë. Kjo pritet që të kontribuojë edhe në uljen e stokut të dosjeve nëpër gjykata. Lamallari solli për ilustrim rastin e një çifti i cili kërkon të divorcohet dhe s’ka implikime financiare apo trashëgimtarë. Sipas tij martesa të tilla mund të zgjidhen lehtësisht edhe te noteri pa shkuar fare në gjykatë duke shmangur në këtë mënyrë kohën e gjatë, kostot financiare dhe frustrimin.
“Sot në Shqipëri një çift i cili vendos që fatet e tyre nuk janë më bashkë duke kërkuar të zgjidhin martesën, sipas kuadrit ligjor në fuqi, sipas proceseve standarde tradicionale prej kaq vitesh që nuk janë sfiduar, duhet të shkojë në gjykatë. Nuk ka arsye sepse të zvarriten disa çështje, kur ndërkohë në vende të tjera, zgjidhja e martesës kur nuk ka elementë financiare, kur nuk ka trashëgimtarë, kjo zgjidhet edhe përmes noterit. Pra, është shprehje e vullnetit përpara përfaqësuesit ligjor. Kjo ishte sa për ilustrim, por ka shumë hapësira të tjera ligjore që duhen riparë në mënyrë që t’ua lehtësojmë jetën qytetarëve”, tha Lamallari për mediat.
Në vijim të intervistës ai foli edhe për përdorimin e formave të tjera alternative për zgjidhjen e çështjeve pa shkuar në gjykatë, si ndërmjetësimi, arbitrazhi, apo pajtimi, forma të cilat duhet të sugjerohen për qytetarët edhe nga vetë gjykatat, ku për fat të keq në vendin tonë pothuajse nuk e kanë bërë fare deri më tani.
Lamallari përmendi gjithashtu mundësinë për përdorimin e teknologjisë e të Inteligjencës Artificiale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ose për të shmangur vajtjen fizikisht nëpër gjykata e prokurori për depozitim të dokumenteve të ndryshme. Por ai theksoi gjithashtu edhe nevojën që institucionet e reja të drejtësisë të jenë në një nivel më të lartë në raport me llogaridhënien karshi qytetarëve.

