Më 20 qershor 2001, në një periferi të qetë të Hjustonit, Teksas, Andrea Yates vrau pesë fëmijët e saj, Noa, John, Paul, Luke dhe Mary, nga 6 muaj deri në 7 vjeç, duke i mbytur një nga një në vaskën e shtëpisë së tyre. Pak kohë më vonë, ajo telefonoi vetë policinë dhe pranoi aktin e saj. Krimi tronditi Shtetet e Bashkuara dhe u bë një nga rastet penale më të përfolura të dekadave të fundit.
Historia e Andrea Yates zbuloi një sfond të rëndë të shëndetit mendor: ajo ishte diagnostikuar me depresion pas lindjes dhe psikoza pas lindjes, dhe ishte shtruar disa herë në spitale psikiatrike, ndërsa disa raportime mjekësore paralajmëronin se një shtatzëni e re mund ta përkeqësonte gjendjen e saj. Më 20 qershor, Andrea mbeti vetëm në shtëpi me fëmijët, pasi burri i saj, Russell Yates, ishte larguar për në punë, dhe gjatë një ore i vrau ata një nga një.
Roli i ndikimit të një predikuesi fetar ekstrem, Michael Woroniecki, u diskutua gjatë hetimeve. Edhe pse ai nuk u akuzua drejtpërdrejt, mësimet e tij mbi mëkatin dhe dështimin shpirtëror duket se forcuan perceptimet tashmë të brishta psikologjike të Andrea-s.
Në mars 2002, Andrea u shpall fajtore për vrasje kapitale dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ky vendim u rrëzua dhe në korrik 2006 ajo u shpall e pafajshme për shkak të sëmundjes mendore, duke pranuar se në kohën e krimit nuk mund të kuptonte natyrën dhe padrejtësinë e veprimeve të saj. Që atëherë, Andrea ndodhet në një institucion psikiatrik me siguri maksimale në Teksas.
Por historia merr një kthesë të pazakontë: ish-bashkëshorti i saj, Rusty Yates, i cili u divorcua nga Andrea në vitin 2005, e viziton ende një herë në vit. Në një intervistë ekskluzive për People.com, Rusty tregon se këto vizita janë një mënyrë për të kujtuar bashkëjetesën dhe fëmijët e tyre, duke thënë: “Andrea dhe unë gjithmonë jemi marrë vesh mirë. Ajo është e vetmja person me të cilin mund të flas për atë periudhë, dhe vetëm ne të dy mund të kujtojmë se si ishin ato vite së bashku.”
Rusty tregon se për Andrea-n tragjedia është e thellë dhe ka penguar jetën e saj: “Ajo kalon shumë kohë duke parë video dhe fotografi të vjetra të familjes sonë, sepse mendja e saj është ende e mbërthyer aty. Është e pamundur ta kapërcejë plotësisht atë që ndodhi.” Rusty gjithashtu thekson se të qenit baba është roli i tij i preferuar, ndërsa për Andrea-n të qenit nënë ishte roli i saj më i dashur.
Historia e Andrea-s rikthehet sërish në fokus përmes dokumentarit “Sekti pas vrasësit: Historia e Andrea Yates”, i transmetuar nga Investigation Discovery, që tregon ditën e krimit, raportet mjekësore dhe udhëtimin ligjor të saj.
Ky rast tronditës vazhdon të provokojë diskutime mbi shëndetin mendor, përgjegjësinë ligjore dhe ndikimin e mjedisit shoqëror dhe fetar, duke mbetur një nga historitë më dramatike dhe të përfolura të SHBA.

