Pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur këtë të diel në Spanjë, ku një tren i shpejtësisë së lartë doli nga shinat dhe u përplas me një tjetër, është rihapur debati mbi sigurinë në trena dhe mungesën e rripave të sigurimit për pasagjerët. Shumë udhëtarë pyesin pse, ndryshe nga makinat, avionët apo autobusët, trenat nuk janë të pajisur me rripa sigurimi.
Sipas ekspertëve të sigurisë dhe rregulloreve ndërkombëtare, mungesa e rripave në trena nuk është një neglizhencë, por një zgjedhje e bazuar në studime teknike. Trenat funksionojnë mbi parimin e sigurisë pasive dhe të përthithjes së energjisë së përplasjes. Duke qenë mjete shumë më të rënda, ata janë të projektuar të ngadalësohen gradualisht dhe jo të ndalen papritur, çka ul rrezikun e dëmtimeve serioze.
Sediljet janë të fiksuara fort në shasinë e trenit dhe shërbejnë si barriera mbrojtëse, duke reduktuar mundësinë që pasagjerët të hidhen përpara gjatë një përplasjeje. Sipas Renfe dhe Bordit Britanik të Sigurisë Hekurudhore, përdorimi i rripave mund të shkaktojë dëmtime të rënda në qafë, kraharor dhe bark, pasi trupi do të vazhdonte lëvizjen për shkak të inercisë.
Gjithashtu, rripat e sigurimit mund të pengojnë një evakuim të shpejtë në raste emergjente si zjarr, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve. Për këtë arsye, në transportin hekurudhor përdoren sisteme të tjera sigurie që konsiderohen më efektive sesa rripat e sigurimit.

