Qeveria e kryeministres Georgia Meloni ka vendosur të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare në jug të Italisë si pasojë e motit të keq që prej ditësh ka goditur rajonin.
Gjendja e emergjencës është shtrirë në Siçili, Sardenjë dhe Kalabri, teksa një fond prej 100 milionë eurosh është ndarë nga Fondi Kombëtar i Emergjencave për të mbështetur reagimin fillestar.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci foli për mediat pas mbledhjes së qeverisë, duke thënë ndër të tjera se ka pasur raste kur gjendja e emergjencës ka zgjatur dhe 12 muaj,
Në ditët në vijim, qeveria do të miratojë një masë të re për të lejuar restaurimin dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, sapo rajonet të kenë përfunduar një vlerësim të detajuar të dëmëve të shkaktuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Përpjekjet e rindërtimit do të koordinohen nga presidentët përkatës të rajoneve, të cilët janë emëruar si komisionerë të deleguar me kompetenca të gjera.
“Në këto orë të vështira për kaq shumë sicilianë të prekur nga Cikloni Harry, Këshilli i Ministrave, me kërkesë të qeverisë rajonale, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, duke ndarë një total prej 100 milionë eurosh. Unë mora pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave me gradën e ministrit, siç kërkohet nga Statuti kur merret me çështje që prekin Siçilinë”, tha Guvernatori Renato Schifani.

