Në gjykatën e Posaçme, Henrik Hoxha, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu detaje për një porosi për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit. Ai tregoi se gjatë përgatitjeve për vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishte diskutuar me Nuredin Dumanin për një tjetër “punë”, ku i ishte ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të goditur Sanxhaktarin.
Hoxha tha se nuk ishte i interesuar dhe se nuk e dinte kush ishte investitori, vetëm se, sipas Dumanit, kishte të bënte me dhëndrin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Ai nuk mbajti mend të ishte përmendur emri Suel Çela dhe nuk mori pjesë në ngjarje.
“Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë dite. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty.
Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Hoxhaj: Po, se nuk u mbarua puna, pra.

