Kryetari i Partisë Demokratike i kërkon anëtarësisë së PD-së të mobilizohet dhe të jetë e përgatitur, pasi vendi shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Një kërkesë të tillë, kreu i PD-së ua komunikoi anëtarëve të Kryesisë së PD-së pak orë pasi kishte ardhur nga Vjena, ku u takua me përfaqësues të Partive Popullore Europiane. Gjatë këtij takimi, Basha denoncoi situatën shqetësuese në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, trafikun e drogës dhe vjedhjen e zgjedhjeve nga persona me të kaluar kriminale.
Në mbledhjen e Kryesisë, Basha ishte i qartë me demokratët kur artikuloi frazën “zgjedhjet janë prapa dere”. Për këtë arsye, kryedemokrati kërkoi nga demokratët një ndërthurje mes aksionit qytetar dhe protestave që do të zhvillohen në të gjithë vendin dhe prezantimit të alternativës që PD-ja do të japë për qytetarët shqiptarë.
“Duhet që të bëjmë një ndërthurje mes aksionit qytetar përmes protestave dhe
prezantimit të alternativës sonë për qytetarët. Për secilin nga sektorët kyç do
të ketë një grup pune, si në PD ashtu edhe në bazë, ku në mënyrë të organizuar
do të kemi një komunikim intensiv me qytetarët. Do të kemi grup pune për
shëndetësinë, arsimin, investimet publike ku përmes alternativës sonë, të bëjmë
diferencën me gjithçka të dëmshme që kjo qeveri u ka ofruar shqiptarëve. Ky
aksion ka nisur me djegien e mandateve tona dhe do të vijojë me të njëjtin
intensitet edhe në ditët në vijim. Askush nuk duhet të harxhojë asnjë një
minutë, pasi mund të jemi me zgjedhje mbrapa dere”, mësohet të ketë deklaruar
në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë Basha.