Como shkaktoi surprizën e madhe në këtë edicion të Kupës së Italisë, duke siguruar biletën në gjysmëfinale, pasi eliminoi Napolin në stadiumin “Maradona”. Vendimtare ishin goditjet e penalltive, ku miqtë fituan me rezultatin 8-7, teksa loja e rregullt u mbyll në barazim 1-1.
Como kaloi në avantazh në minutën e 39-të. Olivera shkaktoi penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Gutiérrez në zonë, ndërsa Baturina u tregua i saktë nga pika e bardhë. Në fillimin e pjesës së dytë, kampionët e Italisë reaguan menjëherë. Vergara realizoi në minutën e 46-të, duke rikthyer baraspeshën. Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund të kohës së rregullt dhe fituesi u vendos nga 11-metërshat.
Nga penalltitë, Lukaku dhe Perrone gabuan fillimisht për dy ekipet, ndërsa goditja vendimtare ishte ajo e Lobotka-s, i cili u ndal nga portieri Butez.
Como feston kështu kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, për herë të parë pas 40 vjetëve. Skuadrën e Fabregas e pret përballja me favoritët e Interit. Në anën tjetër, Napolit dhe Antonio Conte-s i mbetet vetëm gara në kampionat.
