Detaje të tjera janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Kevin Muharremi në Itali nga bashkatdhetari Renato Xyke, 20-vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, debati mes të rinjve dyshohet se ka nisur për shkak të një dëmtimi të lehtë në një makinë, që u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit disa orë më vonë.
Kevin Muharremi u godit nga tre plumba teksa ndodhej në sediljen e pasagjerit. I dyshuari Renato Xyke, po ashtu me origjinë shqiptare, dyshohet se ka qëlluar disa herë drejt automjetit nga një Range Rover Evoque gri i errët.
Autoritetet po analizojnë dëshmitë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonat celularë të personave të përfshirë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e ngjarjes.
Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes, la armën në Montecalvoli dhe u nis drejt Romës me familjen e tij.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e personave të tjerë të pranishëm dhe për të përcaktuar nëse takimi në Montecalvoli ishte i rastësishëm apo i organizuar për të zgjidhur konfliktin, shkruajnë mediat italiane.

