Jakup Krasniqi bëri mbrojtjen e tij në seancën përmbyllëse në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Në fjalën e tij, ai tha se për më shumë se 5 vite i janë mohuar të drejtat e njeriut dhe se aktakuza e prokurorisë është ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade
“Qëndroj sot këtu para jush, jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e prokurorisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitetin njerëzor, me një popull që e refuzoi të zhdukej nga politika e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar duke udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë të lira.
Për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës tonë për pavarësi, kundër politikave të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës. Për më shumë se 5 vjet, më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri. E drejta për një njeri në fazat e fundit të jetës së tij, për të jetuar vitet e fundit pranë familjes dhe në liri. Kjo është bërë pa i rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi. Kam rrezikuar jetën time jo vetëm në luftën çlirimtare, por në vitet ’72-‘73 së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mi. Me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova sërish.
Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit. Vetëm se luftova për liri, pavarësinë e popullit tim. Thashë viti i 16-të, sepse 11 vite i kam kaluar në burg nga viti ’81-’91. Të kalosh 16 vite të jetës nga 75 në burg nuk është gjë e vogël. Dalja ime tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë.
Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën. E zgjedh atë kur e drejta e tjetrit mbi dinjitetin është e ndaluar. Më mohua e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur si i lirë, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, apo për ta përçuar atë që kam mësuar prej dekadash jetë edhe sakrificash. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat e prokurorisë janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade të vetme.
E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve në Kosovë. NATO nuk është bashkuar kurrë me terrorizmin dhe gjenocidin. Pa atë mbështetje, liria jonë nuk do të ekzistonte. Por pa rezistencën tonë, nuk do të ishte arritur kurrë”, tha Krasniqi.


