Autoritetet britanike kanë zbuluar një ngarkesë të madhe kokaine të fshehur në arka me banane, në bordin e një anijeje frigoriferike që mbërriti në portin e Portsmouth-it.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), gjatë kontrollit në anijen MV Atlantic Klipper u gjetën rreth 240 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në tregun e paligjshëm prej 19.2 milionë paundësh.
Anija ishte nisur nga Amerika e Jugut dhe kishte kaluar përmes Karaibeve përpara se të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar.
Droga u zbulua nga Forca Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar (UK Border Force) dhe më pas u sekuestrua nga autoritetet. Ngarkesa është transferuar në një vend të sigurt, ndërsa hetimet për të zbuluar personat e përfshirë në këtë trafik droge kanë nisur.
Operacioni u mbështet nga Njësia e Përbashkët e Operacioneve (JOU), një bashkëpunim mes Policisë së Hampshire-it dhe Policisë së Thames Valley-t.
Autoritetet britanike e kanë cilësuar sekuestrimin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve kriminale që trafikojnë drogë në Mbretërinë e Bashkuar.


