Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar në rrjetet sociale ndaj akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike.
Në deklaratën e saj, Koçiu dënoi çdo formë inkurajimi të dhunës nga drejtues të opozitës dhe u bëri thirrje organizatorëve të protestës që të apelojnë te simpatizantët për të shmangur aktet e dhunës, si dhe për të mbajtur larg fëmijët dhe të miturit nga demonstrata, për të mbrojtur jetën e tyre dhe të qytetarëve të tjerë.
“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve. Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve. Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”, shkruan Koçiu në rrjetet sociale.


