Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar ashpër ndaj akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale, ajo e cilësoi tubimin si një “shfaqje të shëmtuar” dhe akuzoi opozitën se po përdor dhunën si mjet politik.
“Po e shohim përsëri. E njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër ‘revolucion’ me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin. Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë,” shkroi Koçiu.
Ajo shtoi se dhuna nuk është opozitarizëm, por “sabotim kombëtar” që dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë e qytetarëve:
“Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim. Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë, por kundër Shqipërisë që punon dhe respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare,” theksoi ministrja.
Postimi i plotë
Po e shohim përsëri. E njëjta shfaqje e shëmtuar, e njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër “revolucion” me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin.
Le ta themi troç, pa asnjë dorashkë: Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë.
Kush ka të drejtë, ka mbështetjen e popullit, jo bandën e huliganëve me pagesë. Kush ka ide, ka votën. Por kur kutia e votës të është kthyer në makthin tënd më të madh që prej dy dekadash, atëherë e vetmja rrugë është dhuna si streha e fundit e paaftësisë.
Të thërrasësh shqiptarët të bëhen mish për top për marrëzinë tënde personale, ndërkohë që ata ta kanë dhënë përgjigjen me votë rresht për 20 vite, është kulmi i pafytyrësisë politike.
Ata thonë se kjo është një protestë qytetare? Cili qytetar i këtij vendi do të shihte qytetin e tij të digjej? Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim.
Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë. Kjo është një protestë kundër Shqipërisë që punon, kundër stabilitetit, kundër sigurisë së çdo familjeje dhe kundër imazhit të një vendi që sot respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare.


