Irani goditi me raketa balistike një bazë detare amerikane në Bahrein të shtunën si hakmarrje ndaj fushatës së përbashkët ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, njoftuan agjencitë iraniane të lajmeve Tasnim dhe Fars.
Sipas raportimeve, objekti i goditur strehon selinë e Flotës së 5-të të Marinës amerikane. Pamje të publikuara nga mediat iraniane tregojnë re të dendura tymi që ngrihen mbi zonën e bazës.
Agjencia Tasnim bëri të ditur se sulmi ishte pjesë e një breshërie të gjerë raketash balistike, në përgjigje të sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Ndërkohë, agjencia shtetërore Bahrain News Agency raportoi se në shënjestër u vu edhe një qendër shërbimesh e lidhur me Flotën e 5-të. Një zyrtar i lartë nga Katari konfirmoi se dy raketa iraniane u interceptuan mbi territorin e vendit.
Raporte të tjera flasin për shpërthime në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa sirena alarmi u dëgjuan në Jordani dhe në Bahrein.
Ministria e Brendshme e Bahreinit u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve “të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen në vendin më të afërt të sigurt”, pas aktivizimit të sirenave në të gjithë vendin. Autoritetet u kërkuan gjithashtu qytetarëve të përdorin rrugët kryesore vetëm në raste emergjente, për të garantuar sigurinë publike dhe për të lehtësuar punën e forcave të rendit.
Bahreini konsiderohet një aleat strategjik i SHBA-së në Gjirin Persik dhe strehon në mënyrë të përhershme selinë e Flotës së 5-të të Marinës amerikane, me bazë në Manama.
Sulmi shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve në rajon, pas operacioneve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do të vazhdojë me kundërpërgjigje ndaj çdo goditjeje.


