Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska

albnews
By
5 Min Read

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për rastin Banjska, gjatë fjalës përfundimtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 15 prill.

“Dënimi i vetëm proporcional është burgimi i përjetshëm”, tha prokurori special, Naim Abazi.

Teksa gjykimi po shkon drejt fundit, sipas prokurorit Abazi çdo vendim tjetër, përpos burgimit të përjetshëm, nuk do të ishte në përputhje me gravitetin e veprës.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Ata janë vetëm tre persona nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën për sulmin në Banjskë, që Kosova e cilëson si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

“Këto veprime, të 24 shtatorit 2023, përbejnë akte të mirëfillta terroriste duke shkaktuar vrasje dhe lëndime të zyrtarëve policorë, përdorim të eksplozivëve dhe armëve të rënda si dhe rrezikim serioz të njerëzve me synim destabilizimin dhe cenimin e strukturave themelore pulitke, kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore të Kosovës”, tha ai.

Prokurori special në fjalën e tij tha se synimi i grupit të serbëve të armatosur, që sipas Abazit u stërvitën paraprakisht në Rashkë të Serbisë, ishte që veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe të shkëputej nga Kosova dhe të bashkohej me Serbinë.

Gjatë seancës, edhe avokati i familjes të rreshterit të ndjerë, Bunjaku, kërkoi burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se qëndron prapa sulmit.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Çfarë përmban aktakuza?

Në shtator të vitit 2024 – një vit pas sulmit – Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për ngjarjet në Banjskë. At aktakuza, veç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Më herët, prokurori Abazi ka thënë se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Ndërkaq, në shkurt të këtij viti, shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ende po pret që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për Banjskën./REL

Share This Article