Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, i cilësoi si të papranueshme sulmet e Iranit ndaj vendeve të Lindjes së Mesme, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës.
Ajo theksoi se zhvillimet e fundit nuk duhet të çojnë në tensione të mëtejshme që mund të kërcënojnë stabilitetin e rajonit, Evropës dhe më gjerë, me pasoja të paparashikueshme. Sipas saj, Bashkimi Evropian po merr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij në zonë.
Në deklaratën e saj, BE-ja shprehu solidaritet me partnerët që janë prekur nga sulmet dhe konfirmoi angazhimin për të mbështetur përpjekjet diplomatike me qëllim uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë që do të pengojë Iranin të sigurojë armë bërthamore.
Ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se nuk ka qenë pjesë e sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit. Një zëdhënës I qeverisë britanike tha se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, por theksoi se Londra nuk dëshiron të shohë përshkallëzim të mëtejshëm në një konflikt më të gjerë rajonal.
Gjermania ishte informuar paraprakisht për sulmet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit dhe po monitoron nga afër zhvillimet.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se po ndjek zhvillimet e fundit dhe theksoi se prioritet është siguria e qytetarëve italianë në rajon.
Kryeministri i Polonisë Donald Tusk tha se vendi I tij është I përgatitur për skenarë të ndryshëm, teksa qytetarët polakë në rajon aktualisht janë të sigurt.
Një reagim për tensionet erdhi edhe nga Rusia. Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë reagoi me ironi ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se paqebërrësi e tregoi edhe njëherë fytyrën e tij.


