Pas rreth dy vitesh proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Prokuroria ka dhënë pretencën për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj.
Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën.
Sipas Prokurorisë, ai është autor i vrasjes së ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të një lokali, ku biznesmeni Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje. Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës ishte krysori për realizimin e tij.
Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova e dëshmi që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.
Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për t’u përballur me drejtësinë.
Vetë ai ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen.
Saraiva akuzohet për “Vrasje të kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për armëmbajtje pa leje. Për krimin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan, si dhe Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes me motiv gjakmarrjen.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës ka me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite ka shkaktuar shumë viktima.


