Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar kallëzim penal në prokurorinë e posaçme (SPAK) në adresë të Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, si dhe të disa zyrtarëve të lartë të institucionit në fjalë.
Në fjalën e tij pas dorëzimit të kallëzimit, Meta u shpreh se rilindja dhe qeverisja e ‘rilindjes’ janë një murtajë për vendin dhe se ai i pret qytetarët më 2 mars për të luftuar kundër kësaj sëmundje.
Presidenti ka shtuar më tutje se është detyra e tij kryesore që të ruajë Kushtetutën.
Ilir Meta: Mbrojtja e Kushtetutës dhe integriteti i Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë mbi detyrat për çdo shqiptar, e në rradhë të parë kryedetyra e Presidentit. Nuk ka ndodhur ngjarje më e rëndë në historinë e shtetit tonë, sesa ky akt mafioz. Në bazë të provave, rezulton e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe celula e strukturuar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila përmes shkeljes së ligjit dhe falsifikimeve, ka tentuar një grusht shteti duke rrëmbyer haptazi dhe në mënyrë mafioze, një kompetencë që Kushtetuta ia jep vetëm presidentit, me qëllim garantimin e një Gjykate Kushtetuese të paanshme.
Këto prova, fakte tronditëse, ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Shqipërisë. Tashmë padia dhe kallëzimet shumë të qarta, janë dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përfshi dhe zonjën Ministre, e cila është ende në detyrë.
Më 2 mars të gjithë shqiptarët, në bulevard, në Tiranë, për të bërë të qartë se të gjithë janë me kushtetutën, jo me Presidentin Meta. Rreziku më i madh edhe për ju, është murtaja që quhet rilindje.