Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fjalimi të mbajtur në Asamblenë partiake, theksoi se durimi duhet të jetë heroik përballë sfidave dhe kritikave që vijnë nga të katër anët.
“Historia do të mbajë mend vetëm një emër: Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të mbajë mend vetëm këtë kohë të reformës dhe të pavarësimit të drejtësisë. Të gjitha të tjerat do t’i marrë era,” tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe përballjes me “llumin” që shfaqet përmes akuzave dhe shprehjeve të ndryshme të barbarisë.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit me publikun lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke sqaruar se ky nuk është një proces teknik, por një çështje e rëndësishme politike dhe historike. Rama përmendi sfidat e mëparshme me kundërshtarët politikë që pretendonin të pengonin përparimin e vendit, duke shpjeguar se tani situata ka ndryshuar, shkruan A2CNN.
“Deri dje ata dilnin kudo dhe thoshin kjo është imagjinare, kjo s’ka për të ndodhur kurrë, kjo është lojë e radhës e Edi Ramës për t’ju treguar pashaportën europiane dhe për t’ju shkëputur nga problemet reale. E vërteta është që negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian nuk kanë ndalur për asnjë sekondë. T’u thuhet njerëzve e vërteta e thjeshtë. Raporti i Komisionit Europian për vendet anëtare është i shkëlqyer për Shqipërinë. T’u thuhet njerëzve e vërteta e thjeshtë që duan apo s’duan ata që s’duan dhe kurrë mos daçin”, tha kryeministri Rama.
Ai shtoi se nuk ka “mërgatë qyqesh” në Berlin apo Bruksel që mund ta ndalë Shqipërinë në këtë proces dhe vuri në pah punën e administratës publike, e cila është e mobilizuar për çdo kapitull të negociatave dhe merr vetëm vlerësime pozitive. Rama gjithashtu kritikoi ata që, sipas tij, përpiqen të minimizojnë progresin e vendit.
“Negociatat me Bashkimin Europian do t’i mbyllim brenda mandatit tonë dhe nuk ka mërgatë qyqesh në Berlin që na ndal ne në këtë proces. Nuk ka mërgatë qyqesh në Bruksel që e ndal Shqipërinë në këtë proces. Nuk ka më asnjë shans që ata që ia grabitën Shqipërisë gjënë më të çmuar që është koha e një kombi, të vazhdojnë ta grabisin, në ndërkohë që janë qindra e qindra njerëz të mobilizuar në administratën tonë publike që punojnë përditë për çdo kapitull të negociatave dhe që marrin vetëm vlerësime pozitive”, tha Rama.


