Ministrja e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, Vesna Janevska gjatë vizitës së saj në Tetove është përplasur me një gazetar ditën e sotme. Gazetari pyeti Janevskën nëse kishte marrë përkthyes, ndërsa ajo iu përgjigj që nuk i duhet një i tillë në Maqedoninë e Veriut.
“A keni marrë përkthyes zonja ministre? Ju kemi thënë që të merrni përkthyes kur të vini në Tetovë”, iu drejtua gazetari.
“Nuk më duhet. Unë nuk e di kujt i duhet përkthyes në Maqedoninë e Veriut që të flasë gjuhën maqedonase. Tani më lejoni që të flas për atë që kemi ardhur sot”, ishte përgjigja e ministres.
Ky është hera e dytë që Janevskës i kërkohet të përdorë përkthyes gjatë vizitave publike. Gjatë një mbledhje ku po diskutohej në lidhje me propozimet për ndryshimet për ligjin e arsimit të lartë, Janevska kërkoi nga profesorët dhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës që të flisinin maqedonisht, me argumentimin se ajo nuk kuptonte gjuhën shqipe.
Gazetarët kërkuan që ministrja Janevska të ketë përkthyesin e saj, ndërsa ajo u përgjigj se gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase.


