Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të hënë ka pritur në takim ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph. Presidenca ka zbuluar detaje nga takimi ndërsa mësohet se janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Osmani vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në proceset kyçe të shtetndërtimit, zhvillimit demokratik dhe avancimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo gjithashtu falënderoi ambasadorin Rudolph për kontributin e tij personal në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë gjatë mandatit të tij.
Ambasada gjermane gjithashtu ka reaguar lidhur me takimin. Në një postim në “Facebook” shkruan se Kosova dhe Gjermania ndajnë një përkushtim të fortë ndaj lirisë dhe demokracisë. Mësohet se Rudolph i dhuroi Osmanit një libër mbi historinë e Murit të Berlinit.
Ambasada thekson se ky libër është një kujtesë se si vendimet politike mund të ndajnë, por edhe të ribashkojnë njeherazi.
“Urimet më të ngrohta për Presidenten Osmani për angazhimet e saj të ardhshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal”, shtoi ndër të tjera ambasada gjermane.


