Mbyllet epoka “Sylvinho” me Shqipërinë: Trajneri pritet të largohet pas dështimit në Play-off

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Por edhe pse kontrata i përfundon në korrik, epoka e Sylvinhos në stolin e Shqipërisë duket se u mbyll mbrëmë në stadiumin e Varshavës.

Humbja minimale 2–1 kundër Polonisë nuk dogji vetëm ëndrrën e Shqipërisë për Botërorin e 2026, por shënoi edhe finishin e rrugëtimit të tij në stolin kuqezi.

Braziliani e mori drejtimin e kombëtares në fillim të vitit 2023. Kontrata i përfundonte në dhjetor të 2025, por Federata Shqiptare e Futbollit ia zgjati me 6 muaj, pasi siguroi kualifikimin në ndeshjet e Play Off-it për Botërorin e 2026, me synimin e vetëm suksesin në ndeshjet e mbetura.

Mirëpo, pas dështimit të djeshëm përballë Polonisë, një zgjatje tjetër e kontratës duket e pamundur. Tani largimi është vetëm çështje kohe.

Sylvinho do të jetë në stol edhe për sfidën e radhës, atë kundër Ukrainës, që do të luhet këtë të martë, më 31 mars, një ndeshje kjo që nuk do të ketë ndikim për fatin e trajnerit.

Zyrtarisht, rrugëtimi i tij do të përfundojë në korrik, ndërsa në qershor Kombëtarja ka të planifikuara edhe dy ndeshje miqësore.

Këto do të jenë edhe momentet e fundit të brazilianit nën drejtimin e kuqezinjve, siç e la të kuptohet edhe ai vetë në konferencën për shtyp në Varshavë. Vetëm atëherë Federata do të mund të shohë për projektin e ri të kuqezinjve me një trajner që do të nisë përgatitjet për eliminatoret e Europianit të vitit 2028.

Pavarësisht fundit të hidhur në këto kualifikuese, periudha e Sylvinhos do të mbahet mend për rritjen e imazhit të skuadrës dhe kualifikimin për herë të dytë në Kampionatin Europian në Gjermani në 2024. Por objektivi i madh i Kupës së Botës mbetet ende një mision i paplotësuar dhe duket se do të jetë edhe sfida kryesore e pasardhësit të tij.

Share This Article