Një rektor universiteti në Serbi, i cili gëzon mbështetje të madhe nga studentët protestues, ka deklaruar se është i gatshëm të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, nëse qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë.
Arkitekti dhe rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Djokić, tha për TV Nova se është i hapur për një angazhim të tillë, çka mund ta vendosë atë si kundërshtarin kryesor të presidentit Aleksandar Vučić për postin e kryeministrit në zgjedhjet e pritshme gjatë këtij viti, shkruan Zhurnal.
“Nëse qytetarët më kërkojnë, do ta pranoj atë angazhim”, deklaroi Djokić.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi policia, e cilësuar nga studentët si e kontrolluar nga pushteti, bastisi për herë të dytë ndërtesën e rektoratit, nën pretekstin e hetimeve për vdekjen e paqartë të një studenti të Fakultetit Filozofik javën e kaluar.
Pas bastisjes, mijëra studentë u mblodhën para rektoratit për të protestuar, duke akuzuar autoritetet për shkelje të autonomisë universitare dhe rritje të presionit ndaj profesorëve që mbështesin protestat.
Protestat studentore kundër qeverisjes së Vuçiçit dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) vazhdojnë që nga nëntori i vitit 2024, pas shembjes tragjike të një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, përfshirë një student.
Studentët dhe opozita kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet, duke e lidhur tragjedinë me korrupsionin në sektorin e ndërtimit dhe duke theksuar se ndryshimi i pushtetit është i domosdoshëm për drejtësi të plotë.
Ndërkohë, presidenti Vuçiç ka paralajmëruar zgjedhje të reja gjatë këtij viti, por pa caktuar një datë konkrete, ndërsa studentët po përgatiten të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare përmes një liste të veçantë, ku Djokić shihet si kandidati më i favorizuar për ta udhëhequr atë.


