Ambasadorja kineze: Arsimi dhe inovacioni, ura e re e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës

Share

Nga një miqësi me rrënjë historike, te një partneritet që sot kërkon të ndërtohet mbi arsimin, inovacionin dhe dialogun akademik, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës po hyjnë në një fazë të re. Në një realitet ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks, bashkëpunimi mes dy vendeve po orientohet drejt shkëmbimit të njohurive, lidhjeve universitare dhe krijimit të mundësive për brezin e ri.

Në këtë frymë, ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të UET-it, ku ndau vizionin e saj mbi transformimin ekonomik të Kinës,modernizimin kinez dhe perspektivat e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës. Në intervistën kolektive për mediat, ajo u ndal te rëndësia e arsimit si urë bashkëpunimi, marrëdhëniet Kinë–Europë dhe projektet që synojnë të afrojnë edhe më tej dy vendet.


INTERVISTA KOLEKTIVE

Zonja ambasadore, gjatë prezantimit tuaj folët për transformimin e jashtëzakonshëm ekonomik të Kinës. Cilat janë, sipas jush, momentet kyçe që e shndërruan vendin nga një ekonomi e varfër në ekonominë e dytë më të madhe në botë?

Ambasadorja Pang Chunxue: Sot Kina njihet si “fabrika e botës”, por kjo nuk ka qenë gjithmonë realiteti ynë. Në vitet e para pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, vendi ynë kishte shumë gjëra për të bërë, me një bazë industriale pothuajse të papërfillshme. Madje, edhe produkte elementare, si shkrepëset, importoheshin nga jashtë.

Megjithatë, populli kinez është punëtor dhe këmbëngulës – cilësi që, sipas meje, i karakterizojnë edhe popullit shqiptar. Pavarësisht kushteve të vështira dhe izolimit ndërkombëtar, në vitet 1950 hodhëm themelet e industrializimit përmes 156 projekteve strategjike dhe Planit të Parë Pesëvjeçar.

“Plani pesëvjeçar” është një mekanizëm i veçantë i qeverisjes në Kinë. Ai kombinon një vizion strategjik afatgjatë me fleksibilitet në hartimin e politikave, duke i mundësuar vendit të përshtatet me sfidat e kohës pa humbur drejtimin e zhvillimit.

Falë dekadave të punës së vazhdueshme, Kina ka ndërtuar sot një sistem industrial modern dhe të plotë, që i mundëson të prodhojë gjithçka – nga komponentët më të vegjël industrialë deri te avionët.

Reformat dhe politika e hapjes konsiderohen si një pikë kthese në historinë moderne të Kinës. Si e vlerësoni ndikimin e tyre?

Ambasadorja Pang Chunxue: Pak javë më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, citoi një shprehje shumë të njohur kineze: “Nuk ka rëndësi nëse macja është e zezë apo e bardhë, për sa kohë që kap minj.” Kjo thënie lidhet me vizionin reformues të Z.Deng Xiaoping dhe simbolizon metodologjianë pragmatike që udhëhoqi transformimin ekonomik të Kinës duke theksuar kërkimin e së vërtetës nga faktet .

Në fund të viteve 1970, ekonomia kineze ndodhej në një situatë shumë të vështirë. Në vitin 1978 nisëm procesin historik të reformës dhe hapjes, i cili ndryshoi rrënjësisht modelin ekonomik dhe e orientoi Kinën drejt zhvillimit të shpejtë.

Në atë kohë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës ishte rreth 149 miliardë dollarë. Në vitin 2025 ai arriti në rreth 19.6 trilionë dollarë, një rritje mbi 130 herë. Në vitin 2010 Kina u bë ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Por suksesi nuk matet vetëm me statistika. Mbi 800 milionë njerëz janë nxjerrë nga varfëria ekstreme, duke përfaqësuar më shumë se 70 për qind të reduktimit global të varfërisë. Ky është, sipas meje, një nga arritjet më domethënëse të zhvillimit të vendit tonë.

Ju folët edhe për konceptin e “modernizimit kinez”. Çfarë e dallon atë nga modelet tradicionale të modernizimit?

Ambasadorja Pang Chunxue: Shpesh modernizimi identifikohet me perëndimizimin, por Kina ka ndjekur një rrugë të ndryshme, të përshtatur me historinë, kulturën dhe realitetin e saj.

Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës u paraqit koncepti i modernizimit kinez, i cili nuk mbështetet në zgjerim apo dominim ndaj të tjerëve, por në vetëbesim, punë të palodhur dhe zhvillim të pavarur.

Ky model ka pesë karakteristika kryesore: modernizimin e një popullsie prej më shumë se 1.4 miliardë banorësh; prosperitetin e përbashkët; zhvillimin paralel material dhe kulturor; harmoninë ndërmjet njeriut dhe natyrës; si dhe zhvillimin paqësor.

 Kina ka hartuar Planin e saj të 15-të Pesëvjeçar, i cili synon të thellojë zhvillimin kombëtar dhe të krijojë më shumë mundësi bashkëpunimi ndërkombëtar. Besoj se edhe Shqipëria mund të përfitojë nga ky proces.

Nëse Shqipëria dhe Kina do të ndërmerrnin së bashku një projekt strategjik në të ardhmen, në cilën fushë do të dëshironit ta shihnit këtë bashkëpunim?

Ambasadorja Pang Chunxue: Arsimi. Besoj se arsimi është fusha më e rëndësishme për ndërtimin e urave afatgjata mes vendeve tona.

Përmes shkëmbimeve studentore, bashkëpunimit ndëruniversitar dhe programeve të përbashkëta akademike mund të forcojmë mirëkuptimin dhe miqësinë mes dy popujve.

Aktualisht po bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë për rinovimin e marrëveshjes dypalëshe në fushën e arsimit, si dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave. Shpresoj që ky proces të përfundojë sa më shpejt dhe të krijojë më shumë mundësi për studentët dhe universitetet e të dy vendeve.

A mendoni se ka potencial edhe për bashkëpunim më të gjerë në fusha si teknologjia, inovacioni apo kërkimi shkencor?

Ambasadorja Pang Chunxue: Sigurisht. Bashkëpunimi universitar nuk kufizohet vetëm te shkëmbimi i studentëve. Ai mund të shtrihet edhe në kërkimin shkencor, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta, fusha që do të sjellin përfitime afatgjata për të dy vendet.

Kanë kaluar tashmë dy vite nga marrja e detyrës suaj në Shqipëri. Çfarë ju ka lënë më shumë përshtypje nga vendi ynë?

Ambasadorja Pang Chunxue: Këto dy vite kanë qenë një përvojë shumë e veçantë për mua dhe stafin tim. Mund të them se kjo detyrë ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Përpara se të vija në Shqipëri, kisha lexuar libra në gjuhën kineze për historinë dhe popullin shqiptar. Të jetosh këtu më ka dhënë mundësinë ta njoh vendin nga afër.

Ajo që vlerësoj më shumë është mikpritja, ngrohtësia dhe mirësia e njerëzve shqiptarë. Janë cilësi që më kanë lënë një përshtypje shumë të mirë dhe që i kam përjetuar çdo ditë.

Në një kohë kur marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Europian janë shpesh në qendër të debatit ndërkombëtar, si e shihni të ardhmen e këtij partneriteti?

Ambasadorja Pang Chunxue: Kina dhe Europa janë partnere, jo rivale. Ne mirëpresim një Europë të bashkuar, të fortë dhe të begatë.

Besojmë se dialogu, bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet mes njerëzve mbeten rruga më e mirë për të përballuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme.

Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë që dëshirojnë të njohin më mirë Kinën?

Ambasadorja Pang Chunxue: I inkurajoj të studiojnë gjuhën dhe kulturën kineze, të përfitojnë nga programet e shkëmbimit dhe bursat, për të vizituar Kinën. Njohja e drejtpërdrejtë mes të rinjve është mënyra më e mirë për të ndërtuar besim, miqësi dhe bashkëpunim afatgjatë mes vendeve tona.

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Si e sheh Kina këtë proces dhe marrëdhëniet e saj me një Shqipëri anëtare të BE-së?

Ambasadorja Pang Chunxue: Kina respekton zgjedhjet strategjike të çdo vendi dhe mbështet zhvillimin e Shqipërisë. Ne besojmë se marrëdhëniet dypalëshe mund të vazhdojnë të zhvillohen mbi bazën e respektit reciprok dhe përfitimit të ndërsjellë, pavarësisht proceseve të integrimit europian. Një Shqipëri më e zhvilluar dhe më e begatë është në interes të të dyja vendeve dhe të dy popujve tona.

Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë ekonominë globale. A shihni mundësi bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës edhe në këto fusha?

Ambasadorja Pang Chunxue: Teknologjia dhe inovacioni janë ndër motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik. Besoj se ekzistojnë mundësi për bashkëpunim në kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e aftësive të reja, veçanërisht përmes universiteteve dhe institucioneve akademike. Sa më shumë të bashkëpunojnë të rinjtë dhe studiuesit tanë, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për të dy vendet.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit